Minatori Muharrem Plaku vdiq i asfiksuar në galeri. Pavarësisht përpjekjeve heroike të minatorëve të tjerë, indiferenca dhe mungesa e përgatitjes nga ana e institucioneve shtetërore e bënë vdekjen e tij të ngadaltë e të tmerrshme. Si në çdo rast tjetër, qeveria ka shpallur fajtore vetë viktimën.

Në të vërtetë faji për vdekjen e çdo minatori gjendet në një zinxhir keqbërësish. I pari është pronari i galerisë, zakonisht një oligark nga Tirana ose mafioz lokaliteti, i cili nuk investon në sigurinë në punë dhe i kërcënon minatorët me pushim nga puna nëse nuk “guxojnë” të rrezikojnë jetën. Të dytat janë institucionet shtetërore përgjegjëse për inspektimin e kushteve të sigurisë në miniera dhe vënien përpara përgjegjësisë së fajtorëve të vërtetë për vdekjen dhe plagosjen e minatorëve. E treta dhe më e rëndësishmja është qeveria, e cila, në ortakëri me pronarët e galerive, nxit shfrytëzimin deri në vdekje të punëtorëve të nëntokës.

Gjatë tetë viteve në pushtet të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, në Shqipëri zyrtarisht kanë humbur jetën 59 minatorë. Ata nuk i ka vrarë zoti, fati apo pakujdesia personale. Këto vrasje janë produkt i licencave të paligjshme, mungesës së inspektimeve, presionit ndaj zërave kritikë, shtypjes së lëvizjes sindikale, financimit të fushatave elektorale dhe zarfeve me lekë që dalin nga nëntoka dhe arrijnë deri në zyrën e kryeministrit. 59 minatorët janë viktima të grykësisë së pronarëve dhe korrupsionit të qeveritarëve.

Në Shqipërinë e Edi Ramës kushtet e punës në miniera janë nga më të tmerrshmet në botë. Jeta e një minatori shqiptar është 25 herë më e rrezikuar se ajo e një minatori në SHBA, 17 herë më e rrezikuar se e minatorit në Kinë, 10 herë më e rrezikuar se e minatorit në Peru dhe 8 herë më e rrezikuar se e minatorit në Afrikën e Jugut.

Gjaku i 59 punëtorëve të nëntokës është në duart e Edi Ramës!


0 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.