
Ka më se 24 orë që dhjetëra qytetarë shqiptarë që punojnë në shtetin grek janë bllokuar në kufi nga policia jonë dhe nuk lejohen të kalojnë në atdhe. Sipas tyre, askush nuk merr përgjegjësi për situatën dhe janë detyruar ta kalojnë natën jashtë nën temperatura të ulëta atmosferike.
Për vetëdijen tonë kolektive, këto pamje të kujtojnë veprimet raciste të policisë greke në kufi ndaj emigrantëve dhe punëtorëve të përkohshëm shqiptarë dhe si të tilla, sidomos për shtetin shqiptar, janë edhe më skandaloze dhe të dënueshme. Si është e mundur që shteti shqiptar të shpërfillë kësisoj qytetarët e tij?!
Kujtojmë se në pikën 2 të nenit 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kësaj të fundit i kërkohet të mbrojë “të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”, çka do të përfshinte jo vetëm qytetarët që janë bllokuar në Kakavijë e Kapshticë, por këdo që endet nëpër botë i dëshpëruar për t’u kthyer në vendin e vet.
Përveçse detyrim ligjor, ngritja e një ekipi që i ekzaminon, transporton dhe, në rast nevoje, i karantinon në banesat e tyre këta qytetarë është edhe domosdoshmëri njerëzore. Punëtorët emigrantë, përmes remitancave dhe punës së pashpërblyer, mbajnë në këmbë ekonominë në Shqipëri e Greqi.
Prandaj qeveria ose të marrë përsipër detyrimet e saj, ose do të përballet me përgjegjësinë për fatin dhe pasojat shëndetësore të 16 qytetarëve. Janë punëtorët, jo Edi Rama dhe Samir Mane, ata që në këto kohë të vështira po mbajnë në supe barrën e rëndë të shërbimeve në një shtet të kolapsuar si ky i yni.
Ata meritojnë mirënjohje, jo braktisje.