Sa herë flitet për proletariatin mendja të shkon në qytet; në miniera, fabrika, punishte e çfarëdo vend pune ku makineria dhe teknologjia mbledh rreth vetes dhjetëra punëtorë duarsh e mendjeje. Mirëpo proletariati ekziston kudo ku punëtori është i zhveshur nga mjetet e prodhimit dhe nuk ka rrugë tjetër veçse të shesë si mall fuqinë e vet punëtore. Prandaj subjekti proletar ekziston edhe në fshat, në fermat bujqësore, aty ku fshatari nuk ka ose nuk është në gjendje ta punojë tokën e vet.

Marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit në fshat kanë qenë kaherë specifike. Në Shqipëri ato kanë nisur të vendosen pas reformës agrare të vitit 1991. Me kalimin e viteve, në fshatin shqiptar, sidomos në fushat më pjellore, ka nisur procesi i akumulimit të kapitalit dhe proletarizimit të fshatarësisë. Pikërisht rrugëtimin e këtij procesi, faktorët dhe ritmin e tij, si edhe karakteristikat më të përgjithshme social-politike të gjendjes së fshatarit në proletarizim e sipër kemi dashur të kuptojmë në studimin e këtij viti.

Pas studimit dyvjeçar mbi gjendjen e klasës punëtore urbane, me mbështetjen e Rosa Luxemburg Stiftung-ut, kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në prezantimin e “Proletarizimit të fshatarësisë shqiptare” me shpresën se pikëpamjet tuaja do të na shërbejnë si trampolinë e përmirësimit të punës sonë të ardhshme.

Vendtakimi: Muzeu Historik Kombëtar, salla “Unesco”.

Categories: Aktivitete