Rreth nesh

Organizata Politike është bashkim vullnetar i rrënjosur pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011, dhe dita-ditës ka forcuar pozicionin e saj kah të majtës radikale.

Organizata Politike bashkon trupa dhe mendje me synimin e shndërrimeve shoqërore rrënjësore të bazuara te barazia, pjesëmarrja e liria, dhe rreket t’i arrijë synimet e veta nëpërmjet politizimit të çështjeve shoqërore dhe organizimit të popullit, veçanërisht të klasave më të shfrytëzuara të tij, sipas formave emancipuese të pjesëmarrjes, militantizmit, veprimit dhe diskutimit.

Parimet organizative të Organizatës Politike mëtojnë ndërthurjen e elementeve angazhuese dhe ndërgjegjësuese të demokracisë së drejtpërdrejtë me ato të veprimit të bashkërenduar që burojnë nga delegimi politik.

Shpalosjen e sintetizuar të parimeve dhe qëndrimeve të OP ndaj fenomeneve kryesore shoqërore, politike dhe historike mund ta ndiqni këtu: http://opolitike.org/editoriale/paramanifesti-i-organizates-politike/

Organizata Politike, gjatë këtyre pak viteve, ka marrë pjesë dhe organizuar ngjarje të ndryshme emancipuese, si manifestimet në ditën e 1 Majit, solidariteti dhe mbështetja e minatorëve apo shtresave të tjera në nevojë; OP ka qenë nismëtare në Lëvizjen Universiteti në Rrezik, që synonte mbrojtjen e arsimit publik dhe vlerat emancipuese të tij; OP nuk është një grupim indiferent ndaj ngjarjeve shoqërore. Për shembull, gjatë vitit 2013, përveç bashkorganizimit të manifestimit të 1 Majit, ka protestuar në muajin qershor në solidaritet me popullin protestues turk dhe kundër shfaqjeve fashiste dhe profashiste edhe në Shqipëri, si dhe është rreshtuar bashkë me qytetarët, jo thjesht dhe vetëm kundër importit të armëve kimike ne Shqipëri, por edhe kundër pushtetit autoritar së brendshmi dhe servilosës e nënshtrues karshi shfaqjeve imperialiste të fuqive ndërkombëtare. Ndërsa më 21 Janar 2014, përveç një grumbullimi simbolik tek Piramida me parullën “kokëpalarë të të gjitha rrethinave bashkohuni”, Organizata Politike përgatiti edhe një dokumentar modest për të shprehur qëndrimet e saj rreth Ngjarjes së 21 Janarit: https://www.youtube.com/watch?v=QprqOJN8OGQ

OP, përveç angazhimeve në terren, gjatë vitit 2011-2012 ka nxjerrë edhe gazetën e përjavshme “Gazeta”, ndërsa sot, ajo i mban qëndrimet e saj në blogun: http://opolitike.org/

OP zhvillon takime të përjavshme në Logun e Shkëndijës (Rr. Frosina Plaku, Tiranë).

https://www.facebook.com/LoguIShkendijes.

Ju ftojmë, në rast të përputhjeve parimore, të kontribuoni sipas mundësive në zhvillimin dhe rritjen e përbashkët. Kontributi mund të jetë i shumëllojshëm, si shkrime apo përkthime për blogun, pjesëmarrje në eventet e përjavshme teoriko-kulturore, në aktivitetet në terren të OP etj.

Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!