Pushimet nga puna: të paligjshme, çnjerëzore, kriminale

Situata e shkaktuar prej Covid-19 vazhdon të mbetet e rëndë, sidomos për punëtorët dhe familjet e tyre. Të shfrytëzuar e të keqpaguar në gjendje normale, gjatë pandemisë punëtorët vazhdojnë të jenë klasa më e rrezikuar nga infektimi dhe vdekja.

Si të mos mjaftonte kjo, kanë nisur pushimet masive nga puna në shumë kompani, sidomos në sektorin e fasonerisë dhe call center-it. Këtu vlen të theksojmë goditjen e qëllimtë të punëtorëve të organizuar në sindikata të pavarura, si p.sh. ata të sindikatës Solidariteti. Çka e bën edhe më revoltuese situatën është se pushimet po ndodhin pa asnjë paralajmërim.Sipas të dhënave zyrtare, numri i të papunëve si pasojë e krizës pritet të arrijë 50.000-60.000 vetë.

Të tilla akte janë në shkelje të plotë të Kodit të Punës. Sipas këtij të fundit, punëdhënësi është i detyruar që, përpara shkarkimit të punëtorëve, të këshillohet me sindikatat ose, në mungesë të tyre, drejtpërdrejt me punëtorët, si dhe t’i lajmërojë paraprakisht ata për arsyet e shkarkimit.

Nga ana tjetër sipërmarrjet nuk janë vetëm organizma që ndjekin fitimin dhe shfrytëzojnë punëtorët. Çdo sipërmarrje e mesme dhe e madhe duhet të ketë përgjegjësi shoqërore ndaj punëtorëve. Kjo nënkupton kujdes për shëndetin e tyre, komunikim korrekt me ta, respektim të dinjitetit njerëzor, vëmendje më të madhe ndaj më nevojtarëve mes tyre etj.

Barra e krizës në të cilën po hyjmë nuk mund të lihet assesi mbi shpatullat e robtuara të atyre që me punën e tyre mbajnë në këmbë gjithë shoqërinë. Mjerisht, sipërmarrësit, sidomos në sektorin fason dhe call center, duke përfituar nga indiferenca e institucioneve shtetërore, po sillen me punëtorët e tyre sipas ligjit të xhunglës. Në vend të sakrifikimit nga fitimet e tyre të mëparshme apo pasuria e jashtëzakonshme që kanë vënë ndër vite në saje të punës së palodhur të punëtorëve, ata po zgjedhin rrugën e shkurtër, çnjerëzore dhe kriminale: lënien pa punë e pa bukë të mijëra punëtorëve dhe familjarëve të tyre.

Jemi të vetëdijshëm se në këto kushte shumë sipërmarrje janë në vështirësi ekonomike. Po prej tyre nuk mund të dalin duke sakrifikuar punëtorët, por duke u shtruar në tryezën trepalëshe të diskutimeve – punëtorë-shtet-sipërmarrës – ku të gjenden mekanizmat e daljes së drejtë nga vështirësitë. Po në asnjë rast zgjidhja nuk mund të vijë duke shkelur të drejtat themelore të punëtorëve.

Në kushtet ku qeveria i ka zhveshur punëtorët edhe nga e drejta formale e grevës, solidariteti ynë me kauzën punëtore është edhe më jetik. Ne, shumësia e njerëzve të punës e krijimtarisë, duhet të bëhemi sa më parë edhe subjekti i emancipimit dhe drejtësisë shoqërore.#NdalPushimeveNgaPuna

Shpërndaje