Solidaritet me naftëtarët e Ballshit

Vendi ynë po kalon ditë shumë të vështira. Emergjenca shëndetësore përkeqësohet nga dështimi pararendës i modelit ekonomiko-shoqëror: papunësi, paga e pensione të ulëta, lënie pas dore të spitaleve e shkollave publike etj.

Edhe në ditë të zakonshme, me mijëra bashkëqytetarë gjenden në zgrip të mbijetesës. Sot, kur vendi është tërësisht i paralizuar, ata kanë nevojë urgjente për mbështetjen e shoqërisë përmes instrumenteve shtetërore.

Mes shumë komuniteteve të varfra që kanë nevojë urgjente për ndihmë, duam të risjellim në vëmendje fatin e naftëtarëve të qytetit dhe rrethinave të Ballshit. Rreth 800 familje punëtorësh kanë pa marrë mbi 16 paga. Pas një lufte të gjatë, të shoqëruar me protesta dhe grevë urie, ata kanë arritur të marrin vetëm pagat minimale të tri muajve të fundit, të cilat u kanë shërbyer vetëm për të mbyllur disa nga zërat e listës së gjatë të borxheve. Sot ata janë pa punë, pa pagë, pa mundësi për të dalë nga shtëpia, të grabitur e të gënjyer nga pronarët dhe shteti.

Virusi disavjeçar i shkatërrimit të uzinës, i shoqëruar me Covid-19, po kërcënon me uri mijëra qytetarë të Ballshit.

Qeveria nuk duhet të përfitojë nga pamundësia aktuale e naftëtarëve për të organizuar protesta dhe rezistencë kolektive, por duhet të ndërhyjë urgjentisht përmes fondit të solidaritetit për t’u siguruar të ardhura bazike familjeve të naftëtarëve të Ballshit dhe çdo qytetari në nevojë.

Pas kalimit të emergjencës shëndetësore, ne do të jemi krah për krah me naftëtarët në përpjekjen për rifillimin e punës në uzinë dhe respektimin e të gjitha të drejtave të punëtorëve.

Shpërndaje