Me punëtorët, me të varfërit – për shoqërinë!

Mbrëmë qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore duke na privuar nga një sërë të drejtash kushtetuese. Në mes të kësaj situate të jashtëzakonshme, të vetmet gjëra që vijojnë si zakonisht janë shpërfillja e të varfërve dhe ngarkimi i të gjithë barrës së emergjencës mbi shëndetin dhe mundin e punëtorëve.

1. Qeveria ka deklaruar se do të dyfishojë ndihmën ekonomike për më të varfrit. Ky është një hap i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat bazike të më të këputurve në shoqërinë tonë. Sipas të dhënave nga burimet qeveritare, sot ndihma ekonomike shkon nga 5.300 deri në 8.200 lekë në muaj. Kjo do të thotë se në rastin e një familjeje me shumë anëtarë, shuma mujore maksimale do të jetë 16.400 lekë në muaj. Si mund të paguhet qiraja, blihen ushqimet, ilaçe dhe të tjera sende bazike me kaq lekë?! Kujtojmë se shumë të varfër, sidomos nga komunitetet historikisht të diskriminuara si romët dhe egjiptianët, në kohë normale mbijetojnë duke mbledhur materiale të riciklueshme apo kryer punë ditore.

2. Në vend që të ndërpresë punën në ndërmarrjet dhe sektorët jobazikë, qeveria u ka hequr punëtorëve të vetmen armë ligjore të rezistencës ndaj kërcënimit të jetës së tyre: grevën. Që sot, në miniera, fasoneri, call center-a, ndërtim etj. punëtorët nuk do të kenë në dorë asnjë instrument mbrojtës nga kërcënimi i jetës dhe shfrytëzimi në rritje.

3. Për të vërtetuar indiferencën dhe përçmimin e saj ndaj punëtorëve dhe organizatave të tyre, qeveria nuk ka parashikuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatave në Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile. Në mbledhjet e këtij të fundit mund të thirren përfaqësues të biznesit, OJF-ve etj., por kurrsesi ata që përfaqësojnë vullnetin dhe interesat e heronjve të kohës sonë: punëtorëve. Ky diskriminim është veçanërisht indinjues për sindikatat e reja dhe luftarake të sektorit minerar dhe call center-it, të cilat kanë treguar se – ndryshe nga burokratët e korruptuar të sindikatave të vjetra – dinë si t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve.

Vështirësitë dhe nevojat e jashtëzakonshme që kemi si shoqëri kërkojnë masa të guximshme dhe popullore:

1. Çdo qytetari i duhet garantuar minimumi jetik prej 16.000 lekësh në muaj. Ndihma ekonomike, pagat dhe çfarëdo mbështetjeje tjetër duhet të kenë për prag të poshtëm pikërisht këto të ardhura për frymë.

2. Të gjithë ata që jetojnë rrugëve duhet të strehohen në mjedise publike. Në rast nevoje, duhen rekuizuar apartamentet bosh në pronësi të 1% më të pasur të shoqërisë. Për shëndetin e vet dhe të mbarë shoqërisë, askush nuk mund të jetojë rrugëve.

3. Duhet ngrirë pagesa e qirasë së shtëpisë për çdo banor në pamundësi ekonomike. Askush nuk mund të dëbohet nga shtëpia.

4. Duhet ndërprerë përkohësisht puna në të gjitha ndërmarrjet dhe sektorët që nuk prodhojnë të mira bazike. Pagat e punëtorëve duhen mbuluar nga vetë pronarët. Në rastet kur është e verifikueshme objektivisht pamundësia e sipërmarrësve për të përballuar plotësisht fondin e pagave, këto të fundit duhen mbuluar nga buxheti i shtetit. Deri në marrjen e kësaj mase, çdo punëtor duhet të ketë të drejtën të zgjedhë të mos shkojë në punë, pa e humbur vendin e punës.

5. Në ndërmarrjet ku do të vazhdojë puna, duhet rritur paga e punëtorëve, të cilët janë më të rrezikuarit dhe të stërmunduarit për të prodhuar dhe shërbyer të mirat e nevojshme për të gjithë.

6. Në ndërmarrjet e mëdha ku vazhdon puna dhe po zmadhohet fitimi i pronarëve – si rezultat i shtimit të kërkesës dhe përparësisë në raport me ato që janë të detyruara të mbyllen – duhet rritur tatimi i fitimit.

Kusht i realizimit të masave të mësipërme dhe plotësimit të nevojave shoqërore duhet të jetë vendosja e një takse të posaçme mbi pasurinë e oligarkëve. 5% E PASURISË SË TYRE DUHET T’I KALOJË SHOQËRISË. Sot ata duhet të na kthejnë një pjesë të vogël të asaj që na kanë grabitur për dekada.

Koha që po jetojmë kërkon guxim, arsye, imagjinatë dhe, mbi të gjitha, SOLIDARITET!

Shpërndaje