Gjithnjë në këmbë! Gjithnjë i pranishëm!

Sot u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare Manolis Glezos, antifashisti grek i cili së bashku me Apostolos Santas uli flamurin nazist nga Akropoli i pushtuar natën e 30 majit 1941.

Me përfundimin e Luftës së Dytë dhe në mesin e Luftës Civile në Greqi, Glezos u arrestua për shkak të bindjeve të tij dhe u dënua 3 herë me vdekje – dënim që më pas u ul në burgim të përjetshëm. Gjatë kohës në burg u zgjodh si deputet në parlamentin grek më 1951 me partinë Bashkimi Demokratik i së Majtës dhe filloi një grevë urie për lirimin e parlamentarëve të partisë së tij që gjithashtu dergjeshin burgjeve të Greqisë. E ndërperu grevën pas lirimit të 7 prej tyre dhe u lirua nga burgu me 1954.

Me ardhjen në pushtet të diktaturës së juntës ushtarake në Greqi, Glezos u burgos përsëri duke shkaktuar reagimin e opinionit publik mbarëbotëror. Sharl De Goli e quajti atë “partizani i parë i Evropës”. Glezos qëndroi në burg deri në përmbysjen e regjimit, çka e sjell kohën e kaluar në burgim gjatë Luftës së Dytë, Luftës Civile dhe diktaturës ushtarake, në 11 vjet e 4 muaj.

Glezos më pas u rizgjodh disa herë në parlamentin grek dhe parlamentin evropian, me parti si Pasok, Synaspismos dhe së fundmi Syriza, deri në shtator të 2015. Me këtë të fundit mori më shumë vota se çdo kandidat tjetër në vend në zgjedhjet e majit 2014 për parlamentin evropian. Në një fjalim emblematik të tijin si deputet i Syrizas në parlamentin grek, u shpreh për popullin shqiptar se: “Nuk e kemi kuptuar se jemi dy popuj që jetojnë pranë njëri me tjetrin. Popullin fqinj nuk mund ta dëbosh. Fëmijën mund ta zbosh nga shtëpia. Nga shtëpia e prindërve mund të largohesh. Gruan mund ta ndash. Nga populli fqinj nuk mund të ndahesh. Prandaj të dy popujt duhet të kuptojmë se duhet të mirëkuptohemi që të mund të bashkëjetojmë.”

Jerome Roos shkruan për takimin me të: “Vëllai i Manolit, gjithashtu partizan, u ekzekutua nga nazistët. Në sendet e tij të zyrës ruante një cohë nga pjesa e brendshme e helmetës së të vëllait, në të cilën ishin shkarravitur vrulltazi pak fjalë lamtumire për të ëmën. I vëllai shkroi një adresë dhe e hodhi helmetën nga kamioni ushtarak teksa po çohej drejt vendin të pushkatimit. Dikush e gjeti dhe ia riktheu familjes së Glezosit; Manoli e mbajti me vete gjatë gjithë jetës. Ky qe momenti kur e kuptova se një prej arsyeve pse e vazhdoi përpjekjen e tij të gjatë e të palodhur ishte në nder të trashëgimisë që i kish lënë vëllai i vogël.”

“Përse nuk heq dorë? Pse jam duke bërë këtë gjë kur jam 92 vjeç e dy muaj? Do të mund të rrija shtrirë në divan me shapkat në këmbë. Pra pse e bëj këtë? Ti kujton se burri i ulur karshi teje është Manoli, por e ke gabim. Unë nuk jam ai. Nuk jam ai sepse unë nuk kam harruar se sa herë që dikush merrej për t’u pushkatuar [gjatë L2B], ata thoshin: ‘Mos më harroni. Kur të thoni mirëmëngjesi, mendoni për mua. Kur të ngrini dollinë, thoni emrin tim.’ Dhe prandaj jam këtu duke folur me ty, prandaj jam duke e bërë të gjithë këtë. Burri që qëndron para teje është të gjithë këta njerëz. Dhe e gjitha kjo është që të mos harrohen kurrë.”

Panajotis Sotiris shkruan për të: “Manolis Glezos ishte shumë më shumë se një ‘simbol i gjallë’. Ai ishte historia e gjallë. Ai ishte historia në përpjekje, historia në të tashmen, vija e kuqe e përpjekjes nga Rezistenca te Lufta Civile te lëvizjet bashkëkohore. Gjithnjë në këmbë! Gjithnjë i pranishëm!

Shpërndaje