Mbi zgjedhjet në Republikën e Kosovës

Është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës që më në fund i erdhi fundi sundimit të Partisë Demokratike të Kosovës, njërit prej grupimeve politike më të kriminalizuara të Ballkanit. Fati i PDK është një kujtesë se edhe partive dallaverxhie të këtushme dhe sundimtarëve okultë të tyre do t’u vijë fundi.

Fakti që opozita parlamentare ka dalë dukshëm fituese e këtyre zgjedhjeve përbën një ogur të mirë për ndryshime pozitive në Kosovë. Sidomos kur në vend të parë ka dalë një parti me orientim social-ekonomik të majtë dhe e themeluar prej rinisë të guximshme dhe idealiste të Kosovës, si Lëvizja Vetëvendosje.

Urojmë që koalicioni i ardhshëm qeverisës të ndërtohet mbi baza të shëndosha parimore, duke mos lëshuar pe në paprekshmërinë territoriale të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e popullit të saj, si dhe duke mos u lëkundur te të drejtat themelore të të paprivilegjuarve.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi të vetëdijshëm se edhe shoqëria jonë i ka potencialet e veta politike për t’i dhënë fund maskarallëkut sistemor 30-vjeçar. Kjo mund të vijë vetëm nga ndërtimi i një lëvizjeje të gjerë shoqërore, emancipuese në qëllime, demokratike në organizim dhe solidare në ndërveprim.

Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet deri në jetësimin e aspiratave tona të përbashkëta!

Shpërndaje