Tirana evropiane me depozitat bosh!

Më 1 janar 2018 çmimi i ujit në Tiranë për konsumatorët familjarë u rrit nga 45 lekë në 65 lekë për metër kub. Sipas deklaratës së atëhershme të kryebashkiakut Veliaj, gjatë qeverisjes së tij është rritur norma e furnizimit me ujë dhe se çmimi i ri do të shkonte për investime që do ta furnizonin Tiranën deri në 24 orë.

Mirëpo, pavarësisht 10 milionë eurove shtesë që po paguajmë, furnizimi me ujë i lagjeve të tëra tiranase vijon të jetë problematik, duke sjellë kokëçarje dhe dëme njerëzore. Sipas mjekëve, mbi 280 qytetarë janë paraqitur në Urgjencë dhe dyshohet se kjo epidemi është rezultat i ujit të papastër të autoboteve dhe ujësjellësit publik.

Mijëra qytetarë janë të detyruar prej vitesh që të harxhojnë 2000-3000 lekë (të reja) në muaj për të blerë ujë pasi nuk ia kanë besën cilësisë së ujit të rubinetit.

Po kështu, përkundër deklaratave të Veliajt për furnizim me ujë të qytetit, sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit, furnizimi me ujë i Tiranës nga viti 2014 në vitin 2018 është ulur nga 11.04 orë në 10.01 orë [1]. Ndërkohë sipas planit 5-vjeçar të Bashkisë së Tiranës të miratuar në vitin 2017, në vitin 2020 pritet të ketë rritje të reja të çmimit të ujit, duke rënduar edhe më tej xhepat familjarë [2].

Ndërsa mijëra qytetarë vuajnë prej javësh për furnizim normal me ujë, kryetari Veliaj vijon të bëjë pazare me vëllezërit Fusha, të shpenzojë para publike për lëvdata imagjinare si dhe të shpenzojë 6 milionë euro për 600 metra bulevard. Këto janë pra punët e Veliajt: rritje e çmimit real të jetesës për të fituar çmime imagjinare të qeverisjes. Ndërkaq, në Tiranën evropiane depozitat vijojnë të mbeten bosh.
_______________________________________
[1] https://gazetamapo.al/epidemi-nga-uji-ne-tiranegazetari-t…/…
[2] https://shekulli.com.al/mungon-uji-ne-tirane-280-paciente…/…

Shpërndaje