Përkujtojmë 11 Shtatorin e 1973

Më 11 shtator 1973 rrëzohet me dhunën e puçit ushtarak qeveria demokratike e Kilit, me në krye Salvador Aljenden. Intelektual, i majtë dhe njeri i dashur për popullin e tij, Aljende përfaqësonte shpresat e mëdha për tokë, bukë dhe arsim.

Ekzekutimi i Aljendes në pallatin presidencial i hapi rrugën një procesi të paprecedentë dhune kundër qeverive të vendosura me votë popullore në shtetet latino-amerikane. Dhunë kjo e financuar prej “botës së lirë dhe demokratike” – me bashkëpunimin e ngushtë të çikagoskullsave neoliberalë dhe gjeneralëve gjakatarë vendas.

Sipas teoricienit amerikan Noam Çomski, në librin “Kush e sundon botën”, nga vitet ’60 deri në vitet ’90 në Amerikën e Jugut janë vrarë me dhjetëra mijëra studentë, sindikalistë, aktivistë dhe klerikë progresistë. Ndërsa për studiuesen Naomi Klein, referuar librit të saj “Doktrina Shok”, këto ngjarje ishin prologu i lartësimit të kapitalizmit shkatërrues.

Neoliberalizmi, për të cilin u vra Aljende, vazhdon të vrasë dhe sot, duke shembur shtetin e përkujdesjes sociale. Varfërimi, shpronësimi i njeriut prej të drejtës për arsim, punë dhe shëndet, si dhe ulja e cilësisë së jetës janë katastrofat ku na ka çuar kjo teori, të cilën e përqafon fort edhe qeveria jonë.

Sidoqoftë, fjalët e fundit të Salvador Aljendes – “Ata kanë pushtetin, mund të na shtypin, mirëpo proceset shoqërore nuk mund të ndalen, as përmes krimeve, as përmes pushtetit. Historia është jona, dhe populli do ta bëjë atë” – vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot, për të vazhduar rezistencën kundër politikave të kapitalizmit shkatërrues, në çdo vend dhe popull të botës.

Lavdi!

(Në foto është Salvator Aljende duke rezistuar me armë në dorë në Pallatin Presidencial.)

Shpërndaje