Askush nuk është më i sigurt nga kjo qeveri!

Një tjetër punëtor i shtohet aradhës së gjatë të të rënëve në vendin e punës. Shpërthimi i një transformatori të tensionit të lartë i ka marrë jetën Gjergji Sulos dhe ka lënë të plagosur rëndë Sari Çollakun dhe Fari Çollakun. Njëri prej tyre flitet se është në gjendje të rëndë. Tre punëtorët që punonin për një kompani ndërtimi kanë qenë duke u përpjekur që të shkëpusnin energjinë elektrike kur diçka ka shkuar keq dhe një shkëndijë elektrike ka shpërthyer transformatorin, duke i marrë jetën njërit prej tyre.

Që nga ardhja në pushtet e Partisë Socialiste janë mëse 120 të rënët në punë. Shifrat janë ato të një vendi në gjendje të vazhdueshme lufte. Mjerimi ynë nuk janë vetëm ata që prej papunësisë e mjerimit marrin rrugët e emigrimit, por janë edhe gratë e burrat që humbasin jetën duke fituar bukën e gojës. Brezat më të mirë të këtij vendi, ata që prodhojnë të mirat dhe shërbimet e kësaj shoqërie, përveçse keqpaguhen, punojnë në kushte të mjerueshme, ata nuk kanë as sigurinë minimale në punë.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës tashmë nuk janë në gjendje të japin asnjë garanci në vendin e punës. Inspektoriati Shtetëror i Punës në disa raste është i pafuqishëm përballë pronarëve, ndërsa në rastet e tjera është palë me ta. Nga ana tjetër, qeveria është e angazhuar, sëbashku me policinë e shtetit, në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, betonizimin e natyrës dhe privatizimin e çdo hapësire të përbashkët.

Në këto kushte emergjence kombëtare, ne duhet të marrim në dore fatet tona. Për t’i shpëtuar vdekjes na duhet të organizohemi në vendin e punës, në fshatra, në lagje, në universitete e në çdo sferë të jetës shoqërore. Sot askush nuk është më i sigurt nga kjo qeveri e nga ky sistem shfrytëzimi çnjerëzor.

Shpërndaje